Mazhoranca përgatitet për “luftë”, valë shkarkimesh pas festave, militantëve të LSI u kërkohet dorëheqja

PS po nis përgatitjet për një valë të fortë shkarkimesh në administratë. Kryeministri Edi Rama prej disa muajsh ka dhënë urdhra të njëpasnjëshëm ndaj ministrave dhe deputetëve, ndërkohë që plani i spastrimeve të militantëve të LSI nga administrata do të vihet në zbatim pas festave. Sipas burimeve, ditët e fundit ka pasur një sërë takimesh në bazë mes ministrave, deputetëve, krerëve dhe anëtarëve të Partisë Socialiste, ku në fokus të diskutimeve ka qenë pikërisht reforma në administratë.

Gjithashtu, sipas informacioneve, të gjithë drejtorëve të emëruar nga Ilir Meta në rreth 60 drejtori, u është kërkuar që të japin në bllok dorëheqjen, por deri më tani vetëm disa kanë pranuar, ndërkohë që një numër shumë, shumë i ulët janë shkarkuar. Për këtë arsye, socialistët pas festave pritet që të nisin një betejë të fortë me militantët e Lëvizjes Socialiste për Integrim, duke shkarkuar pjesën dërrmuese të tyre që punojnë aktualisht në zyrat e shtetit. Po ashtu, burimet thanë se mazhoranca ka edhe një tjetër plan si të largojë militantë e LSI nga puna, duke i futur të gjithë në testim. Kështu që me shuma gjasa, testimi pritet të “djegë” shumicën e militantëve të LSI, pasi ashtu edhe siç gazeta e ka pohuar edhe më parë, pjesa më e madhe e tyre i janë bashkuar administratës shtetërore, si të emëruar politik dhe jashtë çdo lloj kriteri arsimor apo profesional.

Sidoqoftë, rezistenca që militantët e Lëvizjes Socialiste për Integrim duke mos u larguar nga puna, ka vendosur mazhorancën qeverisëse në vështirësi ligjore për t’i shkarkuar, sepse ata janë pjesë e shërbimit civil. Pasi ashtu edhe siç gazeta apo edhe Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, kanë bërë të ditur se vetëm gjatë këtij viti një pjesë e madhe e drejtorëve të LSI kanë punësuar në administratë shumë punonjës që vijnë nga radhët e partisë së tyre. Pra automatikisht të gjithë këtë drejtorë dhe punonjës të administratë  kanë marrë statusin e nëpunësit civil dhe në rast shkarkimi i drejtohen gjykatës.

Përplasje të forta në gjykata

Ndryshe, ku në shumicën e rasteve shkarkimi i militantëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim nga administrata është bllokuar, në disa zona ky proces ka rezultuar deri diku i suksesshëm duke bërë që disa drejtorë apo nëpunës të thjeshtë të LSI të largohen nga puna. Mirëpo, shkarkimi i tyre nga puna duket se ka futur Partinë Socialiste dhe Lëvizjen Socialiste për Integrim në një “luftë” të fortë me njëra-tjetrën. Dhe pikërisht, fusha e betejës ku këto dy forca politike janë përplasur fort, ka qenë Gjykata Administrative. Kështu, burimet i thanë gazetës se thuajse shumica e militantëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim, të cilët janë shkarkuar nga puna në fillim të vjeshtës, i janë drejtuar gjykatës, pasi kanë qenë të përfshirë në shërbimin civil. Të ndodhur përpara kësaj situate, gjykatat iu kanë dhënë të drejtë teksa disa prej militantëve të LSI kanë fituar gjyqin, si dhe të drejtën e dëmshpërblimit apo të rikthimit në punë.

Madje, burimet i thanë gazetës se disa drejtorë në qarkun e Korçës dhe Gjirokastrës kanë fituar gjyqin dhe janë rikthyer sërish në punë edhe pse vijnë nga radhët e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ndërkohë që ky rikthim i tyre në punë, jo vetëm që ka futur në sherr PS-në me LSI-në, por këta drejtorë kanë shkuar edhe më tej, duke hezituar që të firmosin shkarkimin e militantëve nga administrata. Megjithatë se çfarë do të ndodh më konkretisht, midis kësaj “lufte” PS-LSI, do ta shohim pas festave të fundvitit.

Artikuj të Tjerë