Arrestohet gjyqtari i Apelit që iu gjendën 300 milionë lekë nga policia, nën hetim dhe familjarët

Ndalohet gjyqtari Shkëlqim Miri pas verifikimeve të bëra nga policia në banesën e tij ku i janë gjetur 300 milion lekë.  Me kërkesë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda u ushtrua kontroll në banesë dhe iu gjetën rreth 300 milionë lekë të vjetra. Dyshohet se gjyqtari Miri ka ndryshuar akuzën nga vrasje në plagosje të rëndë.

Ndalimi i gjyqtarit momentalisht është për akuzën e korrupsionit. Momentalisht Shkëlqim Miri ndodhet në rajonin e policisë.

Mësohet se Prokuroria e Përgjithshme ka nisur një hetim prej gati një viti ndaj Mirit, ndërsa gjatë kontrollit atij i janë gjetur në banesë një shumë prej 20 mijë eurosh, që dyshohet të jenë marrë në këmbim për të ndryshuar kualifikimin e një vrasjeje të ndodhur në Burrel, në vitin 1997.

NGJARJA PËR TË CILËN BËHET FJALË:
Në korrik të vitit 2016, prokuroria e Matit ka kërkuar dënimin me 20 vjet burgim për Gentian Doda, i ekstraduar nga SHBA në 2012 i akuzuar për vrasjen e Gazmir Dedja dhe Asllan Gjoka, ngjarje e ndodhur në tetor të vitit 1997. Autori Gentian Doda dhe viktima Gazmir Dedja kanë qenë anëtarë të grupeve rivale në Burrel, konflikti ndërmjet të cilëve ka vijuar për shumë vite dhe me shumë viktima
Përpasjet e ashpra ndërmjet dy grupeve rivale janë shtrirë edhe në qytete të tjera.

Në vitin 2010, në Tiranë është vrarë edhe vëllai i viktimës, Halil Dedja, i cili u gjet i vdekur në hyrje të pallatit ku banonte. Ditën e ngjarjes së vitit 1997, autori Gentian Doda dhe viktima Gazmir Dedja janë konfliktuar verbalisht dhe më pas, i pandehuri e ka qëlluar me automatik, duke e plagosur rëndë. Nga plumbat ka mbetur i vdekur aksidentalisht Asllan Gjoka. I plagosuri ka mundur të mbijetojë vetëm dy ditë për shkak të plagëve të marra, por ka arritur t’u tregojë familjarëve se kush e kishte qëlluar, duke identifikuar Gentian Dodën. Menjëherë pas krimit, i pandehuri është larguar jashtë Shqipërisë dhe është arrestuar në vitin 2012 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në zbatim të urdhër-arrestit ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet shqiptare. Pas ekstradimit, i akuzuari kërkoi rivendosjen në afat dhe rishikim të dënimit të dhënë më parë ndaj tij për këtë vepër penale.

Artikuj të Tjerë