Arti shqiptar në Selanik, hapet ekspozita me piktura dhe fotografi

Me interes të veçantë është pritur në Selanik, ekspozita e profesorëve të Akademisë së Arteve të Bukura të Tiranës, Albes Fusha dhe Edmond Gjikopuli, si dhe të piktorit tashmë të njohur në Greqi, Foti Kllogjeri, që është kujdesur për zbatimin e këtij projekti në bashkëpunim me galerinë “Myro” të këtij qyteti.

Në veprat e ekspozitës përfshihen një pjesë e punimeve të 3 artistëve, si piktura dhe fotografi.

“Kjo ekspozitë është një vazhdim i dy ekspozitave të mëparshme, të cilat kishin si tematikë bashkëpunimin dhe bashkëjetesën të kulturave të ndryshme, të qytetërimeve të ndryshme që kanë kaluar në qytetin e Selanikut”, tha Foti Kllogjeri, piktor.

“Pjesa më e rëndësishme e kësaj ekspozite, e pjesës sime të krijimtarisë, është ajo që paraqet personazhe dhe situata tipike nga Shqipëria e ditëve tona”, tha Edmond Gjikopuli, profesor i Akademisë së Arteve të Bukura, Tiranë.

Stili i veçantë i Foti Kllogjerit, i pasqyruar tashmë në dhjetëra ekspozita; piktura realiste e Edmond Gjikopulit, me tema që karakterizojnë njeriun e thjeshtë, konsumatorin shqiptar; si dhe fotografitë e Albes Fushës, që ashtu si në shumë ekspozita në Shqipëri dhe jashtë saj alternojnë fokusin e tyre midis performancës reale dhe imagjinatës, kanë lënë përshtypje të veçantë te vizitorët.

“Mendoj se së bashku me kolegët kemi sjellë një atmosferë të mirë nga Shqipëria”, tha Albes Fusha, profesor i Fotografisë, në Akademinë e Arteve të Bukura, Tiranë.

Ekspozita do të jetë e hapur për publikun deri në fund të kësaj jave.

Artikuj të Tjerë