Haradinaj flet nga Korça: Negociatat me Serbinë janë drejt fundit, ja çfarë presim si rezultat FINAL

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka mbajtur fjalën e tij në mbledhjen e përbashkët të qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë që është duke u zhvilluar në Shtëpinë e Flamurit në Korçë.
Në fjalën e tij Haradinaj u shpreh se kjo mbledhje shërben për forcimin e rolit të shqiptarëve në Ballkan, roli i cili sipas tij mund të rritet vetëm me anë të bashkëpunimit të dy qeverive.
“Të dashur bashkëkombas kudo që jeni, këtë takim po e mbajmë në Korçë qytetin e shkollës së parë shqipe, në qytetin e rilindjes kombëtare. Ky vit është viti mbarëkombëtar i Skënderbeut i shpallur nga qeveria shqiptare. Ky vit pasqyron aspiratën tonë euroatlantike që mund ta arrijmë sëbashku. Ne i kemi dhënë prioritet forcimit të rendit dhe të ligjit, dhe mund të them që sot në Kosovë parametrat flasin për më shumë rend dhe ligj. Ne po punojmë në ekonomi dhe në politikat fiskale për bizneset e vogla”,- u shpreh Haradinaj.
Në fjalën e tij kryeministri i Kosovës foli edhe për ecurinë e negociatave me Serbinë. Ramush Haradinaj tha se ato janë drejt fundit dhe si epilog të tyre ai sheh njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e shtetit serb.
“Ne jemi të vendosur për dialogun me Serbinë, dhe ne mendojmë se ai është në momentet finale dhe se ai duhet të arrijë epilogun. Ky duhet të jetë njohja nga Serbia e Republikës së Kosovës. Forcimi ynë në Ballkan arrihet duke u bërë bashkë Shqipëria dhe Kosova. Të gjitha këto që kemi bërë nuk mjaftojnë se unë e di që populli shqiptar në Shqipëri dhe Kosovë do më shumë”,- tha Ramush Haradinaj.