I munguan 5 vota, Rama përgjigjet ‘pse s’u bindën deputetët e tij’

Kryeministri Edi Rama, në një deklaratë për media pas votimit të kryeprokurores së re Arta Marku, i është përgjigjur edhe pyetjeve të gazetarëve lidhur me çështjet e nxehta të ditës.

Ndër të tjera Rama ka shpjeguar edhe ‘rrjedhjen e votave’ nga rradhët e deputetëve socialistë. I pyetur pse munguan pesë vota, kryeministri Rama tha se e rëndësishme është që u votua, sipas Kushtetutës dhe ligjit.

Deklarata e Ramës:

Lutjet e mija drejtuar kryetarit të opozitës janë vetëm shprehje përgjegjësie e pse jo shprehje dashurie për këtë vend që nuk do të jetë më peng siç ka qenë deri kur erdhi ora e reformës në drejtësi.

Ky vend nuk mund të jetë më shesh për të bërë përshesh. Opozita hedh pa pushim baltë dhe jo fuqi altenrative për ta qeverisur Shqipërinë me ide dhe lidership. Opozitën nuk e zgjedhim dot. Opozita është ajo që kemi por askush nuk do të na ndalë dot për të bërë Shqipërinë që duam. Me opozitën apo pa opozitë.

Pyetje: Arta Marku mori vetëm 69, ju mungojnë 5 vota. Nuk ju bindën pesë deputetët tuaj?

Sot e rëndësishme është që u votua, pavarësisht shisheve dhe këpucëve që fluturuan për të votuar. Sot Shqipëria ka sipas Kushtetutës dhe ligjit kryeprokuroren.

Pyetje: Nga shfaqja e sotme në parlament, mendoni se janë cënuar mundësitë për çeljen e negociatave?

Jo, por mendoj që çdo shfaqje e tillë i bën dëm Shqipërisë. I jep argumenta atyre që nuk duan të çelen negociatat se ka edhe nga ata. Në vijim të një procesi që fatkeqësisht gjatë gjithë ecurisë së tij dëmton Shqipërinë. Fatkeqësisht.

Pyetje: A do ta ftoni ju opozitën në bashkëpunim në një fazë të dytë ateherë kur zgjidhet prokurori i përgjithshëm i mandatuar që kërkon 3/5?

Për fat të mirë reforma në drejtësi ka marrë parasysh edhe rastin kur forcat politike nuk duan të merren vesh. Nuk mund të kthejmë kurrizin nga opozita. Ne e kemi detyrimin që të vazhdojmë të tregohemi të duruar me opozitën. Askush nuk duhet të mendojë që kjo është shprehje dobësie. Shqipëria bëhet më e fortë nëse palët bashkëpunojnë.

Artikuj të Tjerë