Ja sa do të rriten pagat e mjekëve dhe arsimtarëve

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, deklaroi gjatë prezantimit të buxhetit në Komisionin e Ekonomisë se për 2018-n pagat e mjekëve dhe infermierëve do të rriten 5%.

Ministrja Manastirliu shpjegoi se mjekët në 2018-n do të marrin mbi 780 mijë lekë nga paga mesatare që paguhen sot.
“Paga e mjekëve dhe infermierëve do të rritet deri në 5 për qind. Paga mesatare, bashkë me rritjen, duke filluar nga viti 2013, ishte 69 mijë lekë dhe shkon në 78 mijë lekë në muaj, që është paga aktuale me rritje 5 për qind. Gjithashtu, të gjithë mjekët në spitalet rajonale dhe universitare trajtohen me shërbimin e rojës dhe shërbimi i rojës në mars të vitit 2017 është dyfishuar. Nëse ishte 30 mijë lekë, është bërë 70 mijë lekë”, tha ministrja e Shëndetësisë.

Nga rritja e pagave në muajin mars, paga mesatare bruto e një mjeku u bë 78 mijë lekë, nga 69 mijë lekë që ishte në 2013-n. Me rritjen 5% në 2018-n, paga mesatare bruto e mjekëve do të jetë 81,999 lekë.

Buxheti i shtetit në 2018-n do të akordojë 1 miliard lekë për rritjen e pagave në arsim dhe shëndetësi. Paga do të rritet 5 për qind edhe për punonjësit e arsimit.

Efektet e rritjes do të nisin zbatimin nga 1 korriku. Përfitues nga kjo rritje janë 31,370 punonjës mësimorë në sistemin parauniversitar.

Aktualisht paga mesatare e një arsimtari, pas rritjes që qeveria bëri nga 1 marsi, është 64,650 lekë për mësues të shkollës 9- vjeçare dhe 67,950 lekë për shkollat e mesme. Me rritjen 5% që nis nga korriku, paga e një mësuesi në shkollën 9-vjeçare rritet 3,232 lekë, duke arritur në nivelin e 67,882 lekë.

Për mësuesit në shkollat e mesme rritja e pagës llogaritet 3397 lekë. Për këtë kategori paga mesatare llogaritet të shkojë 71,347 lekë.

Artikuj të Tjerë