Jeton në Vlorë? Mund të ngelesh dhe pa punë…

Vlora, qyteti bregdetar, ku të gjithë të huaj e vendas, kërkojnë t’a vizitojnë dimër e verë për të eksploruar bukuritë që qyteti ofron. Ky qytet, ku është shumë bukur të jetosh nëse je turist por shumë e vështirë të mbijetosh nëse je vendas. Një qytet aq i vogël në dukje por me probleme shumë të mëdha nga ana sociale të cilat kanë më shumë se 2 dekada që nuk marrin zgjidhje.

Papunësia ka qenë dhe mbetet një nga problemet më të mëdha të ekonomisë shqiptare, një sëmundje që për fat të keq është shtrirë e zgjeruar edhe më shumë në vitet e fundit, duke u kthyer në një gangrenë për shoqërinë shqiptare. Këtu nuk ngelet pas as qyteti bregdetar. Ndonëse të gjitha qeveritë që kanë qenë në pushtet përpiqen të ulin ndjeshëm përqindjen e papunësisë, duke dhënë shifra qesharake me realitetin, për fat të keq numri i të papunëve
kap shifra tepër alarmante.

Që të kuptosh se numri i të papunëve është rritur përditë mjafton të shkosh në zyrën rajonale të shërbimit kombëtar për punësimin për të parë se kërkesat për një vend çfarëdo pune rriten pambarimisht. Mjafton që të dalësh e të pyesësh ata pak të rinj që nuk janë larguar nga qyteti dhe kupton se mbi  80% e tyre duan të punojnë një punë çfarëdo jashtë vendit të tyre.

Si ka mundësi që këta të rinj të mirë shkolluar duan të ikin na vendi i tyre dhe pranojnë të punojnë në punë të rëndomta jashtë shtetit? Si është e mundur që kjo “ajkë” e shoqërisë as nuk përfillet në vendin e tyre?

Përgjigjet i jep përsëri kjo pjesë e mirë shkolluar e shoqërisë.

Është shumë e thjeshtë, fillimisht nuk angazhohesh politikisht nëpër forumet rinore të lavazhove të trurit (cilado forcë politike qoftë).

Së dyti, nuk ke asnjë ‘mik’ i cili mund të të ndihmojë të kapësh sekserat për t’u mbushur xhepat deputetëve të zonës.

Së treti, punësimet bëhen me kryetar partie, ku duhet të fusësh mik e për këtë të fundit për ta takuar nëpër kafenetë e lagjeve e të dëgjosh llafet tipike të çdo kryetari “Po punove për ne, të rrish pas partisë ke për të ecur e për të bërë karrierë”.

Ironia e kësaj teme nuk ka fund në qytetin e Vlorës, për më tepër kur shkon në zyrat e punësimit e të thonë prerë:
“Ti paske shkollë, paske dhe Master, paske dhe çertifikime ndërkombëtare, di gjuhë të huaja po çfarë bën më këtu ? T’i e di shumë mirë që ska punë”. Kjo ishte zyra e punësimit që vite më parë të gjente punë në Call Center, e tani nuk të gjen më as për shofer furgoni!

Gangrena e kësaj papunësie fillon që tek arsimi, ku pjesa më e kalbur e shoqërisë diplomohet duke paguar çdo provim të mundshëm e më pas duke të konkuruar me kartonin militanteske të partisë që mban në dorë, duke dhënë rryshfetin tek kryetari i partisë e duke të të zënë vendin e punës. Edhe pse shumëkush mund të kenë kundërshtime, ky është realiteti i hidhur.

Të rinj që kanë punuar për ta fituar me ndershmëri atë diplomë, e në fund punojnë kamarierë. Të rinj që kanë blerë diplomën, në privat e në shtet, që nuk dinë të shkruajnë emrin e tyre e që punojnë në poste të rëndësishme, ah, falë partisë!

E çfarë i ngelet të bëj kjo pjesë e shëndetshme e shoqërisë e cila e ka të pamundur të gjejë një vend pune ndershmërisht e jo më të edukojë e të ndryshojë mentalitetin mesjetar të njerëzve që na udhëheqin.
Kjo është Vlora aktuale, jashtë natyrës turistike, me problemet sociale që shqetësojnë shoqërinë që jeton në këtë qytet e që askush nuk përpiqet t’i ndreq. Kjo Vlorë ku vendin e punës e gjen në kafene dhe në grupseksione partish e jo me meritë. Një qytet ku nëse nuk je i angazhuar politikisht të shohin shtrembër…

Është e vështirë të përtypësh realitetin, të shikosh që “miku yt” përfundon shkollën e lartë pas 8 vitesh e të zë vendin e punës. Është e veshtirë të përtypësh që kjo tufë injorantësh me diploma të blera edukon dhe brezin e ri.
E sa më shumë të vazhdojë kjo situatë, aq më pak të rinj ka për të patur qyteti. Të gjithë në rresht për një, për t’u larguar drejt Tiranës, Italisë e Gjermanisë kujt i jepet mundësia.
Të fala nga realiteti i Vlorës.

 

Altin.S

Artikuj të Tjerë