KLD verifikon lirimin e Tafilit, i dënuar për vrasjen e Arben Zylyftarit

Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka nisur procedurat për verifikimin e vendimit të Gjykatës së Krujës, e cila të martën liroi nga burgu Genc Tafilin.

Tafili është i dënuar me 25 vite burg për vrasjen e kreut të policisë së Shkodrës, Arben Zylyftari, ngjarje e ndodhur në vitin 2000 në qytetin e Shkodrës.

Prokuroria e cilësoi vendimin në kundershtim të hapur me ligjin. Sipas organit të akuzës, ligji e parashikon që nga lirimi me kusht nuk mund të përfitojnë personat e dënuar për veprën penale “vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, vepër për të cilën ishte dënuar dhe Tafili.

Por Gjykata e Krujës nuk e ka marrë parasysh këtë fakt dhe ka urdhëruar lirimin e tij. Menjëherë vendimi është apeluar dhe i është kërkuar kreut të KLD-së të nisë verifikimin për këtë rast.

Vëllezërit Tafili janë të njohur për drejtësinë shqiptare. Pas ngjarjes së vitit 2000, ku veç Arben Zylyftarit mbeti i vrarë dhe Bahri Tafili, babai i Genc dhe Admir Tafilit, ky i fundit nisi hakmarrjen, pasi sipas tij, shkaktar për vrasjen e babait ishte shefi i Krimeve në Policinë e Shkodrës, Prelë Pjetrushi.

Admir Tafili arriti t’i bëjë një atentat Pjetrushit në Malësinë e Madhe, por fatmirësisht ai arriti të shpëtonte dhe u largua nga Shqipëria.
Edhe pse i arrestuar, Admir Tafili më 2 tetor të vitit 2010 mori 5 ditë leje për të takuar familjarët. Ai arriti t’u largohej gardianëve dhe pas 6 muajve në arrati, më 18 mars 2011 qëlloi për vdekje dy vëllezërit e ish-shefit të krimeve, Nik dhe Gjovalin Pjetrushi

Artikuj të Tjerë