Kreu i Gjykatës së Lartë, Zaganjori: S’mund të largosh administratën sa herë ke zgjedhje!

Deklaratë e fortë mund të cilësohet kjo e sotmja bërë nga kreu i Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori. Teksa ishte duke analizuar problemet në gjykatat shqiptare, Zaganjori komentoi shqetësimet e tij duke pyetur hapur se pse hiqen kaq shumë njerëz nga puna në Shqipëri.

‘’Pse ka kaq shumë largime nga puna? Dhe të gjithë vinë në dyert e gjykatat. Pse ka probleme me mijëra ushtarakë? Sepse ka problem me ligjin, është ndryshuar kërkojnë një pension të parakohshëm. Pse ka problem me pensionet?!’’, shtron çështjen Zaganjori, nisur nga numri i madh i çështjeve gjyqësore që detyrohen të gjykojnë.

Kreu i gjykatës shpjegoi situatën e gjykatës që drejton, duke thënë se ka 6 mijë çështje për gjykim me vetem 3 gjyqtarë.

‘’Në radhë të parë janë probleme të ekzekutivit dhe legjislativit për çështjen e pronave, për efekte elektorale fillimisht dhe sot po përballemi me çështjen…Unë kam 6 mijë çështje. Si mund të rregullohem me 3 gjyqtarë përfshi edhe veten?! Është e pamundur të gjykohet një numër kaq i madh!’’,thotë më tej Zaganjori.

Në fund ai theksoi se për njerëzit që largohen padrejtësisht nga puna duhet të merren masa duke theksuar: ‘’Nuk mund të largosh administratën sa herë ka zgjedhje apo ka ndryshime të drejtuesve!’’.

I njëjti problem i numrit të madh dhe vonesës në gjykimin e çështjeve u konstatua edhe nga presidenti Ilir Meta, i pranishëm në konferencën për Gjykatën Administrative.

Artikuj të Tjerë