Nis vetingu në prokurori, hapen dosjet për prokurorët e Gërdecit, 21 Janarit dhe aferës CEZ-DIA, verifikim procedurave hetimore për 25 çështje

Procesi i vetingut ka zbritur në prokurori. Pak ditë më parë u përzgjodhën dosjet për Gjykatën Kushtetuese të Lartë dhe atë të Tiranës, ndërsa dje anëtarët e Komisionit të Kualifikimit dhe përfaqësues të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit kanë zbarkuar në Prokurorinë e Tiranës. Dje janë zgjedhur me short nga 5 dosje që kanë shqyrtuar prokurorët: Dritan Rreshka, Adriatik Cama, Shpëtim Kurti, Arben Nela dhe Antoneta Sevdari. Këta do të jenë prokurorët e parë që do i nënshtrohen procesit të vetingut, pasi kandidojnë dhe për anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Pardje u zgjodhën dosjet për anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor, ndërsa tani Komisioni ka zbarkuar te anëtarët e KLP. Përmes shortit, u përzgjodhën nga 5 çështje që emrat e mësipërm kanë hetuar dhe do të shihet nëse ata kanë ndjekur rrugën e duhur në këto çështje apo jo. Por ajo që bie në sy është se mes 5 emrave të mësipërm ka prokurorë që janë të njohur sepse kanë pasur në dorë dosje shumë të rëndësishme, si ajo e vrasjeve të 21 Janarit, dosja e Gërdecit apo e aferës CEZ-DIA. Interesant është fakti se vetingu në prokurori do të nisë pikërisht me 3 dosjet më të rëndësishme në vitet e fundit, ku të gjithë autorët e vërtetë të ngjarjeve ja kanë kanë hedhur paq, duke i shpëtuar drejtësisë. Nëse i marrim emrat me radhë, Dritan Reshka është një prokuror i njohur, i cili në fillim ka pasur në dorë çështjen CEZ-DIA, bashkë me prokuroren tjetër Antoneta Sevdari. Të dy këta emra janë marrë me skandalin dhe deri më tani i vetmi që ka shkuar pas hekurave ka qenë ish-administratori i DIA, Kastriot Ismaliaj, ndërsa shumë emra të tjerë të akuzuar përfshirë dhe ish-zyrtarë të qeverisë “Berisha”, sot janë të lirë. Emri tjetër është Adriatik Cama. Ai është prokurori i cili pati në dorë dosjen e ngjarjes së 21 janarit, por dhe ngriti akuzat ndaj ish-deputetit Mark Frroku për vrasjen në Belgjikë. 21 janari është ngjarja për të cilën është folur shumë dhe është kërkuar që të nisë me të reforma në drejtësi. Tani prokurori që shqyrtoi këtë dosje do duhet të kalojë në sitë. Në vitin 2013 gjykata nuk u bind nga pretendimet e prokurorisë dhe shumë të akuzuar për 21 Janarin ja hodhën paq. Një dosje tjetër të madhe që kanë shqyrtuar emrat e mësipërm është ajo e Gërdecit. Bëhet fjalë për prokurorin Arben Nela, i cili ka qenë pjesë e kësaj çështje dhe në fund autorët e Gërdecit ja hodhën paq, pasi prokuroria nuk e bindi dot gjykatën.

Procesi i rivlerësimit

Vetingu është i përqendruar në 3 fusha: Kontrollin e pasurisë, të karrierës dhe të pastërtisë së figurës. Për pasurinë është ILDKP që po bën verifikimet për emrat e mësipërm dhe dosjet janë gati. Për pastërtinë e figurës është përgjegjës DSIK. Por atij që po i kushtohet vëmendje është kontrollit të karrierës dhe aftësive profesionale. Sipas ligjit, për secilin gjyqtarë apo prokuror zgjidhen 5 dosje që ata kanë shqyrtuar. Dje u zgjodhën 25 dosje në Prokurorinë e Tiranës dhe ato shkuan fillimisht në Prokurorinë e Përgjithshme, ku dosjes do i bashkëngjiten ankesa, apo procedime disiplinore, nëse ka, për 5 emrat dhe çdo dokument tjetër që ka të bëjë me karrierën e tyre. Më pas, është Komisioni i Kualifikimit që hap dosjen dhe shqyrton nëse prokurorët kanë qenë korrekt me hetimet, atëherë ky test quhet i kaluar. Më pas kontrollohen dosjet për pasurinë dhe pastërtinë e figurës dhe nëse në të tre fushat ata janë korrekt, atëherë vetingu quhet i kaluar. Në javën e parë të dhjetorit emrat e mësipërm do të thirren në seancë dëgjimore, ku do japin sqarime për pasurinë, vendimet që kanë marrë dhe lidhje të mundshme me krimin.

Artikuj të Tjerë