Pensionet: Majko 10% është një kofshë pule për pensionistin

Ndërsa në Kuvend po diskutohet buxheti i shtetit për vitin 2018, kritikat nuk i kanë kursyer as përfaqësues të mazhorancës.

Deputeti social, njëherësh dhe Ministër i Diasporës, Pandeli Majko, u ndal tek rritja e pensioneve.

Për Majkon, Ministria e Financave duhet të ndryshojë formulën e përllogaritjes së rritjes së pensioneve, pasi rritja me 10% në gjykimin e tij nuk do të thotë asgjë për pensionistët.

Me këtë rritje, tha Majko, një pensionist merr një kofshë pule.

Majko: “Duke përfituar dhe nga largimi i kolegut tim Ahmetaj, sepse i kam dhënë fjalën që nuk do të flas me rezerva për çështje të buxhetit, si kur rrisim pagat dhe pensionet. Ata të Ministrisë së Financave i kanë qejf, i rrisin me përqindje, thonë 10%. 

Tani 10% e pagës sonë i thonë një darkë, 10 % e pagës së një pensionisti i thonë një kofshë pule, për të mos thënë nga ata këmbët e pulës përpara. Mbase është momenti që në këtë drejtim ne të shkëputemi pak nga teknika e përqindjeve pasi tek pensionistët kjo nuk është vetëm çështje përqindjesh. 

10-ta duket e bukur për ata që kanë rroga të mëdha, por për pensionistët nuk është ndonjë zhvillim kush e di se çfarë. Është një moment të cilën dëshiroja ta ngrija me dashamirësi, sidomos karshi përfaqësueseve të Ministrisë së Financave, me qëllim që çështja e përqindjeve, sidomos përsa i përket rritjes së pensioneve të shikohet pak më ndryshe nga llogjika dhe këndvështrimi i pensioneve.”

Artikuj të Tjerë