Pseudo “Kryetari” i Bashkisë Inekzistente të qytetit të Vlorës

Pushteti të merr mendjen, të verbon, të tregon vërtet se cili je. Pushteti është ai mekanizëm, që të bën të kuptosh se cilat janë përkushtimet dhe ambiciet që ke ndaj një detyre të caktuar. Mirëpo duke e patur këtë pushtet, mund të ketë dy anë medaljesh…
Jemi në qytetin bregdetar të Vlorës, ku dje, më 11 Maj 2018 u hap sezoni turistik. Ky sezon që u përfol kaq shumë, nuk u la më gjë pa thënë, që nga gënjeshtrat epike të atyre që na udhëheqin e deri tek propaganda politike e blerë nëpër media e rrjete sociale…
U propagandua me të madhe, se janë prenotuar të gjitha dhomat e hoteleve. Realiteti është se nuk ka vit që nuk janë prenotuar të gjitha dhomat e hoteleve përgjatë sezonit turistik. E vërteta është që në këtë qytet ka shumë pak hotele e dhoma pushimi, saqë një numër shumë i vogël turistësh, mund të plotësojnë të gjitha kapacitetet akomoduese të këtyre shërbimeve.
Propaganda e rradhës vijon me punimet që po bëhen në qytet. Këto punime që po cënojnë seriozisht biznesin dhe turizmin, duke i çuar drejt falimentit. Punime, rritmet e të cilave janë mjerane! Data e fillimit ishte 28 Shkurt 2018 por data e mbarimit duket se do të jetë dekadën tjetër. Është një investim madhor, të paktën kështu duket, sepse në Vlorë ka rreth 25 vjet që nuk vihet dorë e çdo investim qoftë dhe minimal, përbën lajm të mirë për qytetin.
Ka patur zhvillime pozitive në qytet, një gjë e tillë nuk mund të mohohet! Por kush qëndron pas këtyre zhvillimeve dhe investimeve? Përveç pushtetit qëndror, pra qeverisë që ka investuar në disa projekte, po bashkia çfarë pune konkrete ka bërë? Ku shkojnë gjithë ato taksa të mbledhura nga taksapaguesit Vlonjat? Si ka mundësi që të gjitha investimet që bëhen në qytet financohen nga BE dhe pushteti qëndror? Po pushteti lokal ku është?
Punon “narko-qeveria” dhe meritat i merr “pseudo-bashkia”! Ndërsa të ardhurat që përfiton bashkia investohen në pronarë të caktuar mediash e rrjete sociale për propagandë. Këtë punë e bën më së miri ky institucion. Investohen me miliona lekë për fishekzjarre e koncerte, ku shumë mirë mund të investoheshin në infrasturkturë.
Këtu shkojnë taksat që i paguajnë qytetarët e bizesmenët e Vlorës pushtetit lokal. Nëpër sponsorizime mediatike e rrjetesh sociale…
Si nuk i ndihet zëri ndonjëherë zyrtarit më të lartë të bashkisë për problemin e transportit publik, për problemet e infrastrukturës së zonave të banimit, për gjelbërimin i cili mungon gjithëandej. Si ka mundësi që nuk ka asnjë prononcim publik për problemet reale të qytetit?
Aq inekzistent është bërë ky institucion saqë për më shumë se 5 vitesh nuk lan as rrugët e brendshme të qytetit. Dikur laheshin dy herë në ditë, ndërsa sot vetëm kur vjen kryeministri! Përpara 5 viteve kishte mirëmbajtje e dezinsektim dhe dezinfektim të gjelbërimit por sot kemi vetëm propagandë mediatike. Ja pra në këtë gjëndje është katandisur ky institucion.
Ashtu siç pritëm për 2 KM rrugë të Lungomares, ashtu do të presim dhe për 1.5 KM rrugë të bulevardit Vlorë-Skelë. Do të duhet të presim 4 vjet, të falimentojmë e denigrojmë bizneset dhe turizmin vetëm për ambicie politike.
Ta gëzojmë bulevardin e ri Vlorë-Skelë që po ndërtohet pa plan njësoj siç u ndërtua e famshmja Lungomare.
Ta gëzojmë bashkinë që nuk ka as fuqinë më të vogël të kërkojë llogari për cilësinë e punimeve.
Ta gëzojmë të gjithë sëbashku katrahurën që do të bëhet gjatë muajëve të nxehtë të verës.
E gëzofsh postin e dhuruar dhe JO TË FITUAR numri një i Bashkisë së Vlorës!