Rama-Basha me dy fytyra në Bruksel, BE e “pafytyrë”

Kryeministri Edi Rama dhe kryetari i opozitës, Lulzim Basha kanë treguar sot në kryeqytetin e Bashkimit Evropian, një Shqipëri me dy fytyra; ku në njërën anë të tregon një vend normal që pret t’i hapen negociatat me Bashkimin Evropian. Ndërsa në anën tjetër një Shqipëri të kriminalizuar dhe të kapur nga bandat e drogës, siç e kanë treguar edhe skandalet e fundit qeveritare.

Ajo që qëndron midis të dyjave, është vetë Bashkimi Evropian, të cilit edhe pse trafikantët shqiptarë me ndihmën e politikanëve i kanë dërguar shpesh tonelata me drogë në vendet anëtare, ende nuk ka mbajtur një qëndrim të prerë ndaj Shqipërisë.

I tillë ishte edhe këtë radhë në takimin e zhvilluar mes presidentit të Këshillit Evropian Donald Tusk dhe kryeministrit shqiptar Edi Rama. Tusk nuk ngurroi të shprehë mbështetjen ndaj qeverisë së kryeministrit Rama, pavarësisht faktit se kjo e fundit është përfshirë nga skandale të shumta, veçanërisht sa i përket trafikut të drogës, ku ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri dyshohet të jetë i përfshirë në kontrabandën e drogës midis Shqipërisë dhe Italisë.

“Jam vërtet i lumtur t’ju shoh këtu, pasi siç e dini jemi në të njëjtën anë. Për mua është vërtet e rëndësishme që të jem me ju dhe me të gjithë miqtë e mi shqiptarë sa më i hapur, i sinqertë dhe pozitiv të jetë e mundur”, u shpreh Tusk. Një qëndrim ky që i ngjan atij të komisionerit për Zgjerimin, Johannes Hahn në vizitën e disa javëve më parë në Shqipëri.Vetë Rama dukej i entuziazmuar nga qëndrimi i Tusk të cilin e cilësoi si “një ndër mbështetësit më të mëdhenj të përafrimit të mëtejshëm të Ballkanit por dhe të Shqipërisë më Bashkimin Evropian.”

Presidenti i Këshillit Evropian e garantoi Ramën se do ta gjejë gjithmonë një derë hapur në Bruksel dhe se Shqipëria përbën një nga shembujt e rajonit të Ballkanit në realizimin e reformave. Por, Tusk harroi skandalet mbi trafikun e drogës që ka përfshirë qeverinë e kryeministrit Rama që nga nisja e mandatit të parë qeverisës duke kulmuar me dyshimet për përfshirjen e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Keni vetëm miq këtu në Bruksel, ndoshta jo në çdo kryeqytet, por të jeni i bindur që keni këtu në Këshillin Evropian. Mund të jeni të sigurt për mbështetjen tonë për përpjekjet tuaja. Dua të rikonfirmoj se ne e vlerësojmë procesin tuajt të thellë dhe mjaft të guximshëm të reformave. Ju jeni një nga shembujt më të mirë në rajon të kësaj ambicie evropiane dhe të kësaj ëndrre evropiane”, tha Tusk pasditen e sotme në Bruksel.

Megjithatë, nuk mungoi as kreu i opozitës Lulzim Basha që të paraqiste fytyrën tjetër të Shqipërisë për të cilën është po aq përgjegjës sa vetë kryeministri Rama. Sipas Bashës, skandali i trafikut të drogës, çështja Tahiri dhe arratisja e tre ish-oficerëve të policisë të cilët janë shpallur në kërkim kanë krijuar një stepje ndaj Shqipërisë nga ana e Bashkimit Evropian.

Për fat të keq, ajo që vërej është një stepje e madhe e përfaqësuesve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian sa i përket Shqipërisë. Në veçanti, shqetësime të mëdha në drejtim të shtetit ligjor, luftës kundër krimit, luftës kundër korrupsionit. Padyshim që episodi Tahiri dhe mbrojtja e tij politike me imunitet parlamentar, si dhe largimi në drejtim të paditur i 3 oficerëve madhorë, pasi ata u vunë nën akuzë dhe u kërkua arrestimi në lidhje me trafikun e drogës, kanë lënë një shije shumë të hidhur”, u shpreh Basha pas takimit me Partitë Popullore Evropiane.

Por, kjo nuk u konstatua aspak nga ana e Presidentit të Këshillit Evropian, Donald Tusk në takimin me kryeministrin Rama. Por, kjo vjen si pasojë e politikës “as mish, as peshk” të vetë Brukselit.

Zyrtarët e Bashkimit Evropian kanë ndjekur një politikë të tillë duke mbajtur në këmbë liderë të korruptuar në Ballkan duke prodhuar atë që quhet “stabilitetokraci” që për hir të qëndrueshmërisë së këtij rajoni iu jep mbështetje autokratëve pavarësisht se kjo cenon në thelb demokracinë. Dhe për pasojë prodhon arritje artificiale në drejtim të integrimit në Bashkimin Evropian.

Për rrjedhojë edhe sot pamë një Shqipëri me dy fytyra në kryeqytetin e BE-së, ku Shqipëria paraqitet ndryshe në kokën e Ramës, dhe ndryshe në kokën e Bashës dhe  “as mish, as peshk” në qëndrimin e zyrtarëve të Brukselit.

Për sa kohë BE do të vijojë të flasë me gjuhën e drunjtë, Shqipëria do të vazhdojë t’i ngjajë një teatri ku personazhet do ta paraqesin vendin me dy fytyra, ashtu si Rama dhe Basha pasditen e së hënës në Bruksel.

Artikuj të Tjerë