Reshjet e shiut, probleme dhe në Epirin fqinj, ku buron Vjosa

Rreshjet e dendura që po vazhdojnë edhe gjatë natës, kanë krijuar probleme edhe në Greqi, konkretisht në rajonin e Epirit, që është fqinj me Shqipërinë.

Siç raportohet nga terreni, stuata më e rënduar paraqitet në zonën Plesio të Filatit, ku po operojnë makineri të emergjencave civile. Problemet janë krijuar sa nga prurjet e përrenjve, aq edhe nga rrëshqitjet e gurëve që kanël bllokuar rrugën automobilistike.

Në Tsepelovo ka vërshuar lumi Kokori, duke ndërprerë aksesin në zonat e banuara.

Nga shtrati ka dalë edhe lumi Sarandaporo në Konicë, ku një uro po rrezikon të shembet nga vërshimi i ujërave.

Në rrugë të tjera sekondare qarkullimi është ndërprerë për mjaft orë, për shkak të rrëzimit të pemëve.

Probleme nga vërshimi i ujërave janë krijuar edhe në rrugën e re nacionale Janinë – Athinë, apo siç quhet zyrtarisht rruga Joniane.

Situata paraqitet disi më e lehtë në zonën Papingo, ku ndodhet burimi i lumit Vjosa.

Sipas shërbimit meteorologjik, sasia maksimale e reshjeve në atë zonë ka qenë 70 milimetra, ndërkohë që në Tsepelevon fqinje, ka pasur sasinë më të lartë, prej 119 mm.

Gjithësesi, sa i përket vendndodhjes së burimit të Vjosës, reshjet e shiut parashikohet të ndërpriten pas mesit të natës, ndërsa për të shtunën parashikohet mot i vrenjtur, por pa shira.

Artikuj të Tjerë