Vlera e Jetës!

Një ditë, djali i tha të atit:”Baba! A s’më thua, cila është vlera e vërtetë e jetës?”
Në vend të një përgjigjeje verbale, babai i tha:”O bir! Merre këtë gur dhe shko ta shesësh në pazar. Nëse të afrohet ndokush e të pyet për çmimin, mos i fol fare, por tregoji dy gishtat e dorës. Vetëm kaq. As dhe një fjalë.”
Djali vajti në Pazar dhe qëndroi me gurin para. Një zonjë iu afrua dhe e pyeti:”Sa kushton ky gur more bir se dua ta vë në kopështin tim pas shtëpisë?”
Djali, pa folur as dhe një fjalë, ngriti dy gishtat lart.
Zonja tha:”Dy dollarë? Shumë mirë, do ta blej!”
Djali vrapoi për në shtëpi dhe i tha të atit:”Baba! Një zonjë më ofroi dy dollarë kundrejt gurit.”
Pa e komentuar fare ngjarje, i ati i tha:”Bir! Tani dua të marrësh gurin dhe të shkosh në një muze. Nëse dikush të pyet për çmimin e gurit, mos i fol fare, thjesht tregoji dy gishtat!”
Ashtu bëri.
Një zotëri iu afrua dhe e pyeti për çmimin e gurit. Djaloshi, pa folur fare, ngriti dy gishtat lart.
Burri i tha:”Dyqind dollarë? Shumë mirë. Do ta blej. Më duket gur me vlerë.”
Djali u befasua dhe ia dha vrapit për në shtëpi, ku i tregoi të atit se një zotëri i kishte ofruar dyqind dollarë për gurin.
I ati, duke mos komentuar as këtë rast, i tha:”Bir! Vendi i fundit ku dua të shkosh e të ekspozosh gurin është dyqani i gurëve të çmuar. Nëse pronari i dyqanit të pyet për çmimin, mos i fol fare, vetëm tregoji dy gishtat!”
Djali vajti tek dyqani i gurëve të çmuar dhe ia tregoi gurin e tij pronarit të dyqanit. Ai, zgurdulloi sytë dhe pyeti:”Ku e ke marrë këtë gur more bir? Është një nga gurët e rrallë dhe dua ta blej. Sa kushton?”
Siç e kishte porositur i ati, djali nuk foli por i tregoi dy gishtat.
Pronari i dyqanit tha:”Mirë, do ta blej për dyqind mijë dollarë.”
Pa ditur ç’të thotë, djali u nis për në shtëpi, ku i tregoi të atit se pronari i dyqanit të gurëve të çmuar i kishte ofruar dyqind mijë dollarë në këmbim të atij guri.
I ati e pyeti:” Bir! A e kuptove vlerën e jetës tani? Ke për të parë se nuk ka fare rëndësi vendi ku ke lindur, ngjyra e lëkurës, sa para ke etj… Rëndësia e vetme është vendi ku do vësh veten tënde, njerëzit me të cilët do të rrethohesh dhe si do të zgjedhës për tu kujdesur për veten tënde. Mund ta kalosh të gjithë jetën tënde i bindur se nuk je më shumë sesa një gur i rëndomtë që nuk vlen më shumë se dy dollarë. Mund ta kalosh jetën tënde i rrethuar nga njerëz të cilët ta përsërisin herë pas here se vlera jote më e madhe është dy dollarë. Por kij parasysh o bir, se çdo njeri ka një diamant brenda vetes. Ne zgjedhim ta rrethojmë veten me njerëz të cilët shohin diamantin brenda nesh. Ne zgjedhim ta vëmë veten në pazarin e gjësë së gjallë, në muze apo në dyqan gurrësh të çmuar. Njëkohësisht, ne zgjedhim të shohim vlerat dhe diamantet tek njerëzit e tjerë, ashtu siç mund ti ndihmojmë ata të shohin gurët e çmuar brenda vetes”.

Artikuj të Tjerë