Vlorë, shërbimi urban skandaloz, pa stacione të mirëfillta autobusësh

A ju ka rastisur të udhëtoni me shërbimin urban të Vlorës?

Me fillimin e sezonit të nxehtë të verës udhëtimi me autobus përveç amortizimit të mjeteve, ka edhe një problem shumë të madh, kohën. Autobusët ecin me “shpejtësi funerali” thonë qytetarët, të cilët ankohen edhe për mosrespektim të orareve.

Jashtë kamerave, drejtuesit e urbanëve thonë se janë nën presion për të plotësuar normën dhe sabotohen nga firma private që ju bllokon rrugën.

Aktualisht gjendja e orareve në qytetin bregdetar është alarmante, pasi për të përshkuar vetëm 4.5 KM rrugë do të duhet rreth 50 minuta. Nuk ka asnjë koordinim midis linjave të privatit dhe atij shtetëror, e shpesh herë ndodh që autobusët të vonohen deri në 30 minuta.

Edhe pse një qytet bregdetar, në këtë sezon turistik do të duhet të prisni rreth 20 minuta për çdo autobus dhe për më tepër ky shërbim ofrohet deri në orën 20:10.

Përveç kushteve ekstreme që ofrohet nga mjetet e transportit publik të Vlorës, një problem tjetër bje në sy dhe nuk është marrë asnjë masë deri më sot. Përgjatë shëtitores miliona euroshe, Lungomares së famshme, nuk ka asnjë stacion të mirëfilltë urbani! Inxhinierët e projektit janë mjaftuar me disa “xhepa” anës rrugës dhe në to mungojnë kabinat e strehimit për qytetarët.

Në rastet e motit të keq qytetarët detyrohen të qëndrojnë në qiell të hapur pasi për ta nuk ofrohet asnjë mundësi tjetër. E njëjta gjë vlen edhe për ditët e nxehta me diell, sidomos për moshat e treta të cilët detyrohen të qëndrojnë të ekspozuar në “stacionet” e autobusëve për minuta të tëra duke rrezikuar shëndetin nga temperaturat e larta përgjatë sezonit të verës.

Artikuj të Tjerë